Fituesit bien në harresë
Monday, August 8, 2011 23:42
Menjëherë pas përfundimit të edicionit të parë “Shpija”, ky shou u kritikua mjaft për cilësinë që ka ofruar para shikuesve, por njëkohësisht edhe për përzgjedhjen e kandidatëve, të cilët u kritikuan shumë se nuk ishin të edukuar sa duhet dhe asnjëherë nuk arritën të japin mesazhe të mira për shikuesit. Ndërkohë, u tha që në edicionin e dytë kandidatët do të ishin më të mirë në të gjitha aspektet, por ishte edhe më i dobët se sa edicioni i parë, i cili u shqua për fyerje, banalitet, e në disa raste debatet gati sa nuk përfunduan në rrahje. Dhe, të gjithë kandidatët sapo dolën nga ky shou mendonin se ishin në qendër të vëmendjes, por kur u ballafaquan me realitetin e panë se megjithatë nuk kishin aq famë sa kishin imagjinuar. Tash pas dy vjetësh që ka përfunduar ky reality-shou, konkurrentët e këtij edicioni thonë se në disa raste edhe vetë populli i ka fajet, sepse më shumë i respekton të tjerët se sa talentet e veta. Këtu ata mund të aludojnë edhe te shou shumë i suksesshëm “Big Brother Albania”, i cili të gjithë pjesëmarrësit e tij të të gjitha edicioneve, jo vetëm që i ka bërë të famshëm, por disa prej tyre edhe i ka punësuar, që do të thotë se është produksion mjaft i suksesshëm dhe serioz. Ndërkaq, kandidatë e “Shpisë”, jo vetëm që nuk kanë fituar vende pune, por disa prej tyre kanë vazhduar të punojnë punët e tyre të përditshme. Fadil Dini, i cili doli fitues i shou “Shpija” në edicionin e parë, thotë se fama u ka humbur për arsye se ne si popull nuk dimë t’i vlerësojmë si duhet talentet. “Ka humbur fama, sepse jemi popull naiv dhe injorant dhe i vetmi vend në botë që i vlerëson vlerat e të tjerëve, përpara se talentet e veta”, thotë ai, duke thënë se edhe vetë “Shpija” nuk është interesuar shumë për ta, por i ka shikuar vetëm interesat e veta. Ndërkaq, njëra nga kandidatet që fitoi më së shumti në këtë reality-shou, Saranda Hoda, e cila e fitoi operimin falas në Itali, thotë se është shumë normale që pas një kohe të gjithëve u humb fama nëse nuk janë aktivë. “Është normale që në çdo reality-shou fama nuk zgjat shumë, sepse e fiton shumë shpejt dhe e humb po aq shpejt, natyrisht nëse nuk di ta ruash atë. Unë për vete kam pasur shumë të mira nga ky reality-shou, pra kam fituar mjaft dhe nuk mund të ankohem”, thotë ajo. Njëri nga kandidatët me kontravers të edicionit të parë të “Shpisë”, Muhamet Zeqiri, thotë se ky reality-shou i ka sjellë gjëra pozitive, por edhe negative. “Unë mendoj se nuk është fajtor produksioni, por as ne si ish-pjesëmarrës, thjesht vetë populli i Kosovës nuk është i përgatitur për këso lloj emisionesh. Reality-shou “Shpija” më ka sjellë gjëra pozitive, por po ashtu edhe pak negative, sepse fama nuk është edhe aq e mirë për Kosovë”, thotë ai, duke shtuar se ai për momentin pjesën më të madhe është duke e kaluar në Itali, ndërkaq ka dy muaj që është fejuar. Kurse pjesëmarrësit e edicionit të dytë kanë mbetur tërësisht në hije dhe asnjëri prej tyre nuk ka arritur ta dëshmojë famën e fituar në këtë reality-shou.
B. ZYBERI




